Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka vazhduar sot mbledhjen e datës 30 qershor 2022, për shqyrtimin e pikës së 9-të të rendit të ditës, saktësisht është bërë harmonizimi i organizimit të Këshillave Lokale të Fshatrave dhe Këshillave Lokale Urbane, mes përfaqësuesve të subjekteve politike të Kuvendit dhe Ekzekutivit të Komunës, si dhe përgatitjeve tjera procedurale / teknike të draftit Rregullores në fjalë që do t’ju paraqitet dhe shpërndahet si propozim final gjatë mbledhjes, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.
Mbledhjen e kuvendit të Komunës së Podujevës, të cilën e kryesoi Hilmi Hoxha- kryesues i Kuvendit, e ku ishin të pranishëm nënkryetarja e komunës, Marigona Lahu, anëtarët e ekzekutivit dhe asamblistët zhvilluan punimet për draft Rregulloren në fjalë.
Pas punimeve nga grupi punues, drejtoresha e Drejtorisë së Administratës, Antoneta Ejupi, prezantoi rregulloren duke elaboruar 24 këshillat nga fshatrat apo viset rurale, ndërsa drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Leutrim Krasniqi elaboroi 6 këshillat e zonës urbane të cilët janë paraparë në bazë të draft rregullores.
Pas propozimeve dhe plotësimeve nga asamblstët, rregullorja për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatra, vendbanime dhe lagje urbane në territorin e Komunës së Podujevës u miratua dhe si e tillë shumë shpejt do të fillojnë punimet për formimin dhe funksionalzimin e këshillave të fshatarve./Llapi.info






