Drejtorit të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, për të dytën ditë me radhë, iu ndalua hyrja në Kosovë.

Sikur të martën, ashtu dhe të mërkurën, ai s’kishte dokumentin e duhur si dëshmi për të hyrë në tokën kosovare.

“Edhe sot në mëngjes, Albin Kurti ma ndaloi hyrjen në territorin e Kosovës. Ne në Beograd s’kemi asnjë dilemë se çka bën Kurti e si sillet. Sjellja e tij arrogante dhe ndezëse s’na befason. Në Konçul erdha t’i çoj porosi bashkësisë ndërkombëtare, e cila kur është në pyetje Prishtina, ose nuk di ose bëhet që nuk di”, tha Petkoviq, që foli nga ana serbe e pikës kufitare Dheu i Bardhë.

Klan Kosova merr vesh se Petkoviqit iu refuzua hyrja, së pari për arsye procedurale, pasi që kërkesa për vizitë u shtrua gjatë fundjavës, kurse e hëna ishte ditë pushimi.

Arsye tjetër është rritja e retorikës negative që zyrtari serb e shfaqi gjatë vizitave të fundit, që i kishte nëpër disa komuna kosovare.

Ardhjet e Petkoviqit në Kosovë përcillen gjithnjë me tensione politike Prishtinë-Beograd. Për disa muaj rresht gjatë këtij viti, ai e kishte stop për vizitë.

Por pas thirrjeve të shumta që erdhën nga Brukseli, Qeveria e Kosovës, lejoi vizitat e tij.

Kosova e Serbia, që nga viti 2014, kanë marrëveshje për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve.