Që nga janari – e deri në maj, në Podujevë janë regjistruar dhjetëra vjedhje nëpër zona të ndryshme të këtij qyteti, shkruan Llapi.info.
Kështu ka thënë komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, në mbledhjen e parë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Podujevës (KKSB).
Jashari në raportin e tij tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë̈, sipas tij, në Podujevë është̈ e mirë dhe stabile.
“Prej 1 janar deri më 31 maj në polici janë raportuar 536 raste të veprave të ndryshme. 24 raste për konfiskim të armëve, 18 raste për përdorimin e lëndëve narkotike, 37 raste të vjedhjes, 1 rast me vrasje dhe rreth 3800 gjoba për mos respektim të ligjit”, citohet të ketë thënë ai, sipas njoftimit të Komunës.
Llapi.info ka raportuar në lidhje me këto raste të vjedhjeve që kanë ndodhur në rajonin e Podujevës. Portali pati siguruar edhe pamjet që hajnat kryenin vjedhje kryesisht nëpër shtëpi. Fshati Peran ka qenë cak i shumë rasteve, ku hajnat vodhën dhjetëra mijëra euro të gatshme dhe stoli ari – në katër shtëpi.
Deri më tani, Policia e Podujevës nuk ka dhënë ndonjë detaj për ndonjë person të dyshuar të arrestuar përkitazi me vjedhjet që janë regjistruar në Podujevë./Llapi.info






