Lokale - eSIMy

Komuna e Podujeves 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve e ka shënuar me aktivitete dhe një program të pasur festiv. Aktivitetet për shënimin e kësaj dite kanë filluar në sheshin “Katër Dëshmorët”, në të cilën morën pjesë nënkryetarja Marigona Lahu, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Pajtim Balaj, transmeton Llapi.info.

Me këtë rast nënkryetarja Lahu ka uruar fëmijët në ditën ndërkombëtare të tyre.

“Fëmijë të dashur, urime 1 qershori kjo ditë e bukur dhe e lumtur për të gjithë fëmijët, urimet më të mirat për ju me dëshirën që ju të shkolloheni dhe përmes shkollimit t’i arrini majat e suksesit e t’i realizoni ëndrrat tuaja. Obligimi ynë është përmirësimi i kushteve dhe respektimi i të drejtave tuaja, ndërsa ju obligoheni të jeni fëmijë të mirë e të mbarë” tha nënkryetarja Lahu.

Në këtë program të larmishëm festiv, me pika të ndryshme artistike u paraqitën nxënësit e kopshtit “Armela”, shkollat fillore të qytetit dhe grupe fëmijësh nga organizime të ndryshme, po ashtu Policia e Kosovës ka zhvilluar një performancë për fëmijët e klasëve fillore.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, në Teatrin “Avdush Hasani” u dha shfaqja “TOMI E XHERI”.
Ndërsa për nder të kësaj dite kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi i ka pritur në zyre nxënësit e klasës së parë të shkollës fillore “Naim Frashëri”. Kryetari gjatë takimit i ka uruar fëmijëve 1 qershorin dhe ju garantoj mbështetje të plotë institucionale në përmirësimin e kushteve në shkolla dhe angazhimin për t’ju siguruar kushte të mira jetese.

“Fëmijët begatojnë jetën tonë, kurse ne obligohemi që atyre t’ju sigurojmë mirëqenie të dinjitetshme e të ardhme të ndritur”. përfundoi fjalën e tij kryetari Bulliqi./Llapi.info