Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë që ai drejton janë miratuar 20 vendime, raporton Llapi.info.

Ndër to, sipas Kurtit, është miratuar edhe ndarja 1.3 milion euro për projekte në komunat Podujevë, Shtime, Graçanicë dhe Istog.

“Ndamë 1.3 milion euro për projekte në komunat Podujevë, Shtime, Graçanicë dhe Istog. Shfuqizuam vendimet e qeverisë paraprake nga viti 2018 duke vendosur kështu ligjshmëri: bëmë tërheqjen e bartjes në pronësi komunale të aseteve të AKP-së për komunat Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më poshtë postimi i plotë:

Në mbledhjen e 73-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës miratuam 20 vendime, në mesin e të cilave:
Ndamë 1.3 milion euro për projekte në komunat Podujevë, Shtime, Graçanicë dhe Istog.

Shfuqizuam vendimet e qeverisë paraprake nga viti 2018 duke vendosur kështu ligjshmëri: bëmë tërheqjen e bartjes në pronësi komunale të aseteve të AKP-së për komunat Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit.

Aprovuam nismën për anëtarësimin e Kosovës në “Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave”, përkatësisht aderimin në Konventën e Parisit.

Marrëveshja për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe ajo me Izraelin, krahas zhvillimit të prodhimit të filmit dhe lidhjeve kulturore, krijojnë edhe forcë të re diplomatike për shtetin tonë.

Mundësuam angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë për qëllime humanitare në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Miratuam masat e reja lehtësuese për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Për mbrojtjen e ajrit, ujit, tokës miratuam Projektligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes. Aprovuam edhe koncept-dokumentin për Fushën e performancës energjetike në ndërtesa.

Pas buxhetit të rishikuar për vitin 2022, sot miratuam edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2023-2025.
Nga Presidentja e Republikës së Kosovës do të kërkohet autorizimi për nënshkrimin e Marrëveshjes që ka për qëllim që Kosova të përfitojë nga fondet IPA të Bashkimit Evropian. Po ashtu, edhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Korniza e Qyteteve të Gjelbërta”, në vlerë prej 6,31 milionë euro, për qëndrueshmëri në sektorin e energjisë dhe tranzicion energjetik efikas.
Emëruam Komisionin Shtetëror për pranimin në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese.
Emëruam Bordin gjashtë anëtarësh të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore, N. P. H. Ibër Lepenc, Sh. A.