Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës ka ftuar shitësit ambulantë/tregtarët që të aplikojnë për shfrytëzim të tezgave në tregun e gjelbër, raporton Llapi.info.

Sipas njoftimit të Komunës, vitin e kaluar janë ndarë disa prej tyre, por që numri ende nuk është përmbushur, për çka, Komuna e Podujevës ka bërë thirrje që të aplikojnë tregtarët.

“Bazuar në kërkesat/aplikimet e shitësve ambulantë/tregtarëve, vitin e kaluar janë ndarë tezga, mirëpo në treg ka ende tezga të lira për të cilat ftohen të interesuarit për t’i marrë në shfrytëzim, andaj Komuna e Podujevës ju fton që të aplikoni në Drejtorinë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, për ndarjen e tezgave në Tregun e Gjelbër të qytetit”, thuhet në njoftim.

Më tej, është bërë e ditur se afati për aplikim është hapur dje më 26 prill dhe i njëjti do të jetë në dispozicion deri më 5 maj të këtij viti.

“Njoftohen të gjithë shitësit ambulantë/tregtarët, veprimtaria apo aktiviteti do të realizohet brenda hapësirës së tregut të gjelbër e cila është e destinuar për atë qëllim dhe nuk do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve të tilla në kuadër të hapësirave tjera në qytet”, thuhet në njoftimin shtesë.

Duke klikuar këtu mund ta lexoni procedurën dhe kushtet për të aplikuar për shfrytëzim të tezgave në tregun e gjelbër./Llapi.info