Komuna e Podujevës ka bërë ftesë publike tek bizneset për shfrytëzimin sezonal të një hapësire publike, shkruan Llapi.info.
Bëhet fjalë për pjesën e vjetër të sheshi të qytetit, afër objektit të Administratës Komunale. Kështu ka njoftuar Drejtoria e Shërbimeve Publike në këtë Komunë.
“Ftojmë bizneset që merren me veprime hoteliere, të konkurrojnë për shfrytëzim sezonal të hapësirës publike. Lokacioni afër objektit të Komunës, vetëm pjesa e ulët e sheshit. Data e aplikimit deri më 29 prill”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.
Ky vendim që një pjesë e sheshit t’u jepet bizneseve ishte marrë fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Por, të njëjtin atë kohë e kundërshtonin fuqishëm partitë opozitare, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje – parti kjo që ka në dorë tani pushtetin në Podujevë.
Anëtarë të këtij subjekti kishin hedhur varg kritikash në drejtim të komunarëve – përkatësisht ish-kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
Ata patën kërkuar që sheshi dhe hapësirat tjera publike t’u kthehen qytetarëve. Tani, kur LVV-ja qeverisë në Podujevë ka vendosur që e njëjta hapësirë publike t’i dhurohet biznesit, i cili do të zgjidhet ditëve në vijim./Llapi.info






