Lokale - eSIMy

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Gluak Konjufca, në 23-vjetorin e masakrës në Dyz të Podujevës, ka thënë se populli shqiptari, siç ka thënë i pari i Kuvendit, vazhdimisht ka përjetuar gjenocide nga Serbia, raporton Llapi.info.

Në një fjalim rasti të mbajtur në Dyz, kryeparlamentari ka thënë se mbi 1 mijë fëmijë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë, derisa ka shtuar se për këto krime, sipas Konjufcës, nuk ka ende drejtësi.

“Jemi mbledhur këtu që t’i kujtojmë 227 të rënët që kanë dhënë jetën për lirinë e popullit tonë. Vetëm gjatë luftës së fundit, gjenocidi i Serbisë i ka vrarë mbi 12 mijë qytetarë shqiptarë në Kosovë dhe përgjegjësi është shumë i qartë, ky është shteti i Serbisë me ushtri dhe Policinë, me paramilitarët që i kanë urdhëruar, për të gjitha këto krime me mbi 300 masakra anë e kënd Kosovës. Përgjatë historisë së popullit tonë, ne kemi përjetuar vazhdimisht gjenocide prej Serbisë. Krimi i parë është që Serbia i vrau qytetarët tanë. Mbi 1 mijë fëmijë janë të vrarë prej gjenocidit të Serbisë. Krimi tjetër i Serbisë është që nuk ka pasur kurrë drejtësi për familjet e juaja, pasi që shumë pak janë ata që janë gjykuar për këto krime”, është shprehur Konjufca.

Më tej, Konjufca ka shtuar se Kosova do t’i kujtojë dhe nderojë gjithmonë të rënët për lirinë e popullit shqiptar.

“Serbia ende s’e ka ndryshuar drejtimin. Nëse ju e përcillni sot se çfarë po flet kryetari i Serbisë e kryetari i Parlamentit të saj, Serbia po i bën homazhe Millosheviqit, ne po u bëjmë homazhe të rënëve që kanë derdhur gjak për liri. Serbia po i bën homazhe kasapit të vet që i la të vdekur mbi 160 mijë qytetarë të popujve të ndryshëm në Ballkan. Pra, ne do t’i kujtojmë gjithmonë të rënët tanë për liri, sepse dëshmorët që dhanë jetën me pushkë në dorë dhe martirët që derdhen gjakun për lirinë e Kosovës, e kanë dhënë jetën për këta fëmijë të vegjël që të jetojnë të lirë”, ka thënë ai.

Në këtë përvjetor kanë marrë pjesë familjarë të viktimave, ish-komandantë të Zonës së Llapit, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deputetë dhe anëtarë të ekzekutivit komunal./Llapi.info