Norvegjia do të sigurojë 226 milionë dollarë ndihmë humanitare dhe pajisje ushtarake për Ukrainën.
Qeveria norvegjeze njoftoi masat mbështetëse, duke thënë se kjo “ndarje e jashtëzakonshme për Ukrainën synon të rrisë përpjekjet humanitare për të ndihmuar grupet më të cenueshme, përfshirë dhe fëmijët”, shkruan CNN, përcjellë Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre dënoi “sulmet ushtarake të Rusisë në Ukrainë”, të cilat ai tha se “po shkaktonin humbje të gjerë dhe vuajtje në popullatën civile, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke i detyruar njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre”.
Për sa i përket ndihmës ushtarake, Norvegjia do të dërgojë pajisje ushtarake si helmeta dhe jelek antiplumb në Ukrainë.
“Pajisjet janë kërkuar të gjitha nga Ukraina dhe mund të dërgohen shpejt”, shtoi ministri norvegjez i Mbrojtjes Roger Enoksen.
Ai theksoi gjendjen e vështirë të popullit ukrainas duke luftuar për mbijetesë kundër një force ushtarake superiore.





