Presidenti rus Vladimir Putin thotë se marrëveshja e paqes që ishte arritur në Minsk “nuk ekziston më”, raporton Reuters, përcjell Gazeta Express.
Duke iu drejtuar gazetarëve në një konferencë të dytë shtypi në Moskë këtë pasdite, Putin tha se “vendimi më i mirë që mund ta merrte Ukraina do të ishte heqja dorë nga ambiciet e anëtarësimit në NATO”.
Ai thotë se Rusia do të sigurojë ndihmë ushtarake për rebelët në rajonet lindore të Ukrainës.
“Nëse ka një konflikt sigurisht, nëse është e nevojshme, ne do të ndjekim detyrimet që kemi marrë”, tha Putin.
“Ne po llogarisim në zgjidhjen e të gjitha këtyre dallimeve. Këto dallime do të zgjidhen midis rajoneve Kiev, Luhansk dhe Donetsk”, shtoi ai.
Në shkurtin e vitit 2015, liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës u takuan në kryeqytetin bjellorus me objektivin e rikthimit të paqes në territoret e kontrolluara prej një viti nga separatistët pro rusë, në rajonin e Donbas.
Ai takim gjeneroi një etapë tjetër, e quajtur Minsk II, ku u nënshkrua një dokument i rëndësishëm që parashikonte disa pika. Dokumenti u firmos nga Rusia, Ukraina, liderët separatistë dhe OSCE, e “bekuar” edhe nga vetë Kombet e Bashkuara me një rezolutë.





