Deputetja Duda Balje ka folur për shpenzimet e deputetëve për karburant, ku shpjegoi procedurën e financimit.
“Secili deputet që udhëton në një drejtim 30 kilometra ka pagesë 10 euro, nëse udhëton deri në 60 kilometra merr 20 euro dhe nëse është larg prej kuvendit më shumë se 60 kilometra, merr nga 30 euro, praktikisht si mëditje për shpenzimet e udhëtimit”, tha Balje.
“Ne jemi 13 deputetë nga Prizreni, jemi më larg se 60 kilometra në një drejtim dhe marrim nga 30 euro për prezencë në komision dhe seanca. A është e drejtë apo jo nuk varet prej meje, unë nuk kam marrë as më shumë as më pak sesa kam qenë e pranishme në komisione apo seanca”, u shpreh tutje deputetja.
Megjithatë, Balje tha se pagesa nuk është e njëjtë për të gjithë deputetët, por se varet nga prezenca në seanca dhe komisione.
“Varet nga sa kemi qenë aktiv. Këto pagesa mund të merren vetëm me nënshkrim, ku vërtetohet prezenca në seancë apo komision”, theksoi Balje.
Ndërkohë, Balje bëri të ditur se janë në fazën e ndryshimit të rregullores dhe nëse deputetët janë pro ndryshimit, edhe ajo do të jetë e të njëjtit mendim.
“Unë nuk jetoj në Prishtinë, udhëtoj çdo ditë, por nëse ka të tillë që jetojnë në Prishtinë dhe marrin paratë, nuk është në rregull”, u shpreh Balje.






