Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se kosovarët nuk e shpenzojnë energjinë elektrike për luks, pasi sipas tij, për dallim nga ata në veri, sipas tij, kosovarët e shpenzojnë aq sa kanë nevojë dhe e paguajnë atë.
Ai deklaroi në Kuvendin e Kosovës se Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar në vend, duke shtuar se shtetet e tjera në rajon, me çështjen e energjisë elektrike janë marrë që nga tetori i 2021-s.
“Tani mohimi i krizës kur shtetet e tjera bënin zgjidhje, shkakton dëm. Nga 150 milionë euro deri në 200 milionë, kjo është shumë që shoqëria kosovare do të djegë sivjet energji. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi edhe për 1 euro të shpenzuara, lëre më për më shumë. Dëmi është bërë dhe a mund qytetari ta paguajë atë. Pyetja se a mund të përballohet ky çmim, nuk zë vend më. Vend zë se ku t’i gjej paratë shteti. Flitet nga perspektiva e karriges së pushtetit, si brengë e kryeministrit. Pyetjet se ku i merr paratë shteti është dashur kryeministri t’ia bëjë vetes në tetor”, tha Abdixhiku.
Ai potencoi se krizë energjetike ka secili shtet në Evropë, mirëpo asnjëri nga to s’i ka rritur çmimet sa pretendon Kosova.
“Kuvendi duhet të refuzojë tendencën e Qeverisë dhe ZRRE-së sepse s’ka dhënë kohë për të zëvendësuar paralajmërimin për rritje rekorde, në mes të dimrit. Është dënim dhe s’është zgjidhje”, tha tutje.






