Është rikthyer në punë blloku B2 i termocentralit “Kosova B” i cili kishte dalë jashtë funksionit para pesë javësh. Korporata Energjetike e Kosovës ka treguar se kjo njësi prodhuese ka startuar me sukses.
Këtij lajmi i është gëzuar edhe kryeministri Albin Kurti i cili ka treguar se tash paguhen rreth 50 mijë euro më pak në import të rrymës, e deri nesër në mëngjes rreth 1.2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas.
Në një fjali të nisur me pasthirrmë, Kurti në fund hedh fajin te qeverisjet e kaluara për krizën energjetike.
“Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MË fuqi secila!”, shkroi ai në Facebook, njofton Klan Kosova.
Këtë e cilësoi retorikë opozitari Ramush Haradinaj, duke thënë se Kurti do të duhej ta kumtonte mosshtrenjtimin e rrymës .
Po paska harru të thotë: Eh sikur të mos e kisha bllokuar projektin “Kosova e Re”; eh sikur të mos e kisha refuzuar gazin amerikan…Po e shkuara është e shkuar. Ai nuk është aty për të vajtuar por për të gjetur zgjidhje. Kryeministër mos e shtrenjto rrymën, e lëri retorikat”, tha Haradinaj.
Për riparimin e B2-shit, KEK-u kishte angazhuar një kompani të huaj që solli një ekspert i cili, sipas kontratës, u pagua rreth 12 mijë euro në ditë






