Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano ka thënë se vizitat zyrtare duhet të realizohen ashtu siç janë marrë vesh Kosova dhe Serbia. Kjo deklaratë vjen pasi Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe është kthyer prapa dje në pikën kufitare në Jarinjë.
Stano ka thënë se vizitat zyrtare duhet të lejohen të realizohen nga dy shtetet, prandaj sipas tij Kosova duhet ta rishqyrtojë vendimin për ndalimin e Petkoviqit.
“Ne kemi marrë parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me vizitat zyrtare. Duam të theksojmë edhe një herë se presim që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që përmirëson procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e dialogut të mbështetur nga BE. Ne presim që palët t’i respektojnë këto udhëzime.
Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta rikonsiderojë vendimin e saj në lidhje me vizitën”, tha Stano për Kosovoonline.






