Ashtu siç ka raportuar Llapi.info, ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, i cili ka qenë bartës i listës së kësaj partie, nuk do të jetë këshilltar komunal në Kuvendin Komunal, raporton Llapi.info.
Hyseni do ta lirojë këtë pozitë. Në vendin e tij pritet ta zë Fahri Hasani, i cili është edhe në rend më i votuari nga kandidatët tjerë që s’e kanë siguruar ulësen e Kuvendit.
Se që Hasani pritet të jetë këshilltar komunal nga LDK-ja e ka thënë edhe vetë Hyseni në një postim në Facebook.
“Fahri Hasani, sot e kishte ditën e fundit të shërbimit ndaj qytetarëve llapjanë, detyrë të cilën e filloi 20 vite më parë. Gjatë gjithë shërbimit të tij në administratën komunale, Fahriu mbahet mend, si njeri dhe punëtor i urtë dhe i respektueshëm nga të gjithë. Jam i lumtur që ai së shpejti do t’i përfaqësoj interesat e qytetarëve llapjanë, si asambleist i LDK-së në kuvendin komunal në Podujevë”, ka shkruar ai, në ditën e pensionimit të Fahri Hasanit.
Kuvendi i Komunës i Podujevës në mandatin ardhshëm përfaqësohet nga këshilltarë prej pesë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 14 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje 13 këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës 4 këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës 3 këshilltarë dhe Ballin Kombëtar Demokrat 1 këshilltar./Llapi.info
Ekrem Hyseni pritet ta lirojë pozitën e asamblistit në Kuvendin e Podujevës






