Lokale - eSIMy

Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni, i cili ka qenë edhe bartës i listës nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 nëntorit, pritet të mos jetë këshilltar komunal nga kjo parti në Kuvendin e Podujevës, raporton Llapi.info.

Siç mëson Llapi.info, Hyseni do ta lirojë këtë pozitë. Në vendin e tij pritet ta zë Fahri Hasani, i cili është edhe në rend më i votuari nga kandidatët tjerë që s’e kanë siguruar ulësen e Kuvendit.

Hyseni ka munguar sot edhe në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal, në të cilën është betuar si kryetar i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe këshilltarët komunalë.

Mungesën e Hysenit e ka konfirmuar Komisioni për verifikimin e mandateve. Përveç tij, në këtë seancë ka munguar edhe ish-kandidatja për kryetare nga PDK, Floretë Zejnullahu.

Zejnullahu, e cila aktualisht është deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, do t’ia lirojë pozitën e asamblistës Mimoza Abdullahut, e cila është kandidatja femër më e votuara në rend.

Kuvendi i Komunës i Podujevës në mandatin ardhshëm përfaqësohet nga këshilltarë prej pesë subjekteve politike. Lidhjen Demokratike të Kosovës e përfaqësojnë 14 këshilltarë, Lëvizjen Vetëvendosje 13 këshilltarë, Partinë Demokratike të Kosovës 4 këshilltarë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës 3 këshilltarë dhe Ballin Kombëtar Demokrat 1 këshilltar./Llapi.info