Skuadra nga “Zahir Pajaziti”, Llapi ka arritur të shënojë fitore si mysafir ndaj Gjilanit me rezultat 2-0 në kuadër të javës së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.
Të dy golat i shënoi Edon Sadriu, për t’ia siguruar fitoren dhe tri pikë të plotë në këtë ndeshje ekipit nga Podujeva. I kënaqur me këtë fitore është shprehur tekniku llapjan, Tahir Batatina.
Pas ndeshjes, Batatina është shprehur se qysh sot, siç ka thënë ai, me këtë lojë që ka treguar Llapi, është dashur që ekipi i tij të shpallej kampion i këtij edicioni.
“Nëse thoni se kundërshtari ishte i fortë, Llapi është më i fortë dhe ne treguam sot se është dashur të shpallemi kampion. Ne i dhamë shkollë Gjilanit sot dhe luajtëm shumë mirë taktikisht. “Skifterave” ua uroj disa vargje, Dresin me vija kur dojna vina ju mujna të shpija”, është shprehur Batatina pas ndeshjes.
Me këtë fitore, Llapi gjendet në pozitën e pestë me 37 pikë të tubuara, ndërkohë që Gjilani mbetet në vendin e katërt me 43 pikë. Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Trepçën 89’, kurse Gjilani i shkon Ballkanit./Llapi.info






