Llapi ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Arbërisë me rezultat të përgjithshëm 4-3, raporton Llapi.info.
Në 20 minutat e parë u shënuan tre gola, të gjitha këta gola u realizuan nga lojtarë mysafirë.
Ishte Kreshnik Bahtiri i Arbërisë që shënoi në portën e vetë në minutën e 4’. Dhjetë minuta më vonë, Arbëria barazoi rezultatin me anë të Marclei Cesar. Epërsinë në 2-1 për Llapin e ngriti sërish Kreshnik Bahtiri, duke realizuar auto-gol në minutën e 20’.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”.
Me të nisur pjesa e dytë, llapjanët shënuan edhe golin e tretë me anë të Muhamed Hysenit. Ndërkaq, Maclei ngushtoi epërsinë në 3-2 në minutën e 58’.
Krejt në fund të ndeshjes, u shënuan edhe dy gola. Ishte Ahmed Januzi që ngriti shifrat në 4-2, teksa për rezultatin final 4-3 u përkujdes Dior Zabërgja.
Pas kësaj fitoreje, Llapi tash i ka 33 pikë dhe radhitet në pozitën e pestë të tabelës, ndërkohë që Arbëria ka 28 sosh dhe pozicionohet në vendin e tetë.
Në xhiron e radhës, Llapi udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin, e në anën tjetër Arbëria pret Dritën./Llapi.info






