Lokale - eSIMy

Llapi dhe Drenica kanë barazuar 3-3 në kuadër të xhiros së 24-të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi me disa raste shënimi. Fillimisht Arbnor Ramadani rrezikoi portën kundërshtare në minutën e 4’. I njëjti lojtar, me një super-gol nga distanca realizoi për 1-0 kur po zhvillohej minuta e 24’ e takimit.

Krejt në fund të pjesës së parë, mysafirët nga Drenica arritën t’i barazonin shifrat në 1-1 me anë të Eglentin Gjonit.

45-minutëshi i dytë filloi më mirë për drenicasit, pasi kaluan menjëherë në avantazh. Ishte Kreshnik Uka, i cili realizoi për 1-2 në minutën e 56’, pas një gabimi katastrofal nga portieri i Llapit, Giacomo Nava.

Drenica ngriti shifrat në 1-3 në minutën e 75’ me anë të Dionis Cikanit. Minutat e fundit të ndeshjes ishin për Llapin, duke realizuar dy herë. Për 2-3 u përkujdes Engjëll Hoti, teksa Ahmed Januzi barazoi 3-3 në minutën e 88. Njëherësh ky ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi.

Me këtë barazim, Llapi tash i ka 27 pikë në pozitën e shtatë, ndërkohë që Drenica ka 25 sosh.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon në Pejë Besës, teksa Drenica pret Arbërinë./Llapi.info