Llapi e ka nisur me humbje stinorin pranveror në Superligën e Kosovës, duke u mposhtur në Gjilan nga Drita me rezultat 1-0, raporton Llapi.info.
Astrit Fazliu i vendasve provoi i pari goditjen, por që priti për mrekulli Coric.
Në anën tjetër Kastriot Selmani i Llapit ishte pranë golit, por shtylla pingule iu mohoi një gjë të tillë në minutën e 14-të.
Ergyn Ahmeti tentoi nga distanca me një gjuajtje fantastike, por përsëri portieri mysafir ishte në vend duke larguar në këndore.
Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para në Gjilan mes Dritës dhe Llapit.
Drita në pjesën e dytë ishte edhe më kërkuese duke krijuar disa raste shënimi.
Kampioni në fuqi tentoi me Fazliun, Rexhën e Ahmetin, por pa sukses deri në minutën e 74-të.
Kur kishin mbetur 16 minuta para fundit të ndeshjes, sulmuesi me përvojë, Astrit Fazliu u gjend bukur në zonë derisa me një goditje të fortë realizoi për 1-0.
Përkundër tentimeve të mysafirëve për të barazuar rezultatin, një gjëje të tillë nuk ia dolën dhe Drita mori tri pikët.
Me këtë fitore, Drita vazhdon ta ruaj pozitën e parë në tabelë me 44 pikë, tri më shumë se ndjekësi i saj më i afërt Ballkani.
Ndeshjen e ardhshme Drita do ta luaj përsëri në shtëpi, pasi e pret Trepçën ’89, ndërkohë Llapi do të luaj në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ përballë Gjilanit.






