Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas arrestimit të dy qytetarëve llapjanë nga Policia e Serbisë, raporton Llapi.info.

Duke e dënuar rëndë këtë akt, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre. Ai ka thënë se njëri nga të arrestuarit është këshilltar në Kuvendin e kësaj komune.

“Arrestimi nga policia serbe i dy qytetarëve të komunës sonë gjatë ditës së shtunë, njëri prej tyre këshilltar në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është një veprim i papranueshëm. Ata janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishin dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar. Ndonëse, nuk kemi asnjë informatë nga shteti serb, as nga institucionet tona kompetente të sigurisë, duke dënuar aktin kërkoj nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, lajmin për arrestimin e dy qytetarëve nga Podujeva e ka konfirmuar për Llapi.info edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Pas pranimit të informacionit se dje pasdite dy persona afër fshatit Mirovc-Merdar mund të jenë çorientuar si pasojë e mjegullës dhe mund të kenë dalur në territorin serbë, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime te menjëhershme dhe është interesuar duke kontaktuar edhe palën tjetër në kufi, ku nga zyrtarët kompetent të pikëkalimit kufitar me shtetin fqinjë ka marr konfirmimin nga ta se dy personat shqiptarë të Kosovës janë ndaluar nga autoritetet policore serbe”, ka thënë./Llapi.info