Llapi dhe Prishtina kanë ndarë pikët sot në derbin rajonal të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së pestë, raporton Llapi.info.
Dueli mes këtyre skuadrave përfundoi me rezultat 0-0, ndërkohë që të dyja pjesët e lojës ishin të baraspeshuara.
Pas këtij barazimi, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka paralajmëruar se ekipi i tij do të kthehet fuqishëm.
“Llapi do të rikthehet fuqishëm. Kemi bërë ndeshje të mirë dhe këtë ndeshje kemi qenë të vëmendshëm. Kemi luajtur një ndeshje të mençur, nuk lejuam kundërshtarët të na rrezikojnë shumë. Po të ishim më të vëmendshëm mund ta fitonim ndeshjen, por sido që të jetë kam besim të plotë në këta lojtarë. Sot është vërejtur që skuadra ka filluar të komponohet. Rezultati real i takimit të sotëm ishte barazimi”, ka thënë për ArtSport.
Tekniku llapjan ka folur edhe për zërat se do të largohet nga ekipi nga Podujeva, duke bërë të qartë se kjo nuk pritet të ndodhë.
“Peshku pa ujë nuk jeton dhe Llapi pa Batatinën nuk funksionon”, përfundoi ai.
Llapi tani ka pikën e parë në këtë kampionat dhe radhitet në pozitën e fundit, derisa Prishtina tani ka 5 pikë dhe gjendet në pozitën e gjashtë./Llapi.info






