Lokale - eSIMy

Pas startit jo të mirë të Llapit në këtë edicion të ri në Superligën e Kosovës në futboll, ka reaguar tekniku i këtij klubi, Tahir Batatina, njofton Llapi.info.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Batatina ka thënë se projekti i tyre është 50-vjeçar dhe kushdo që mendon se janë dorëzuar nga objektivat e tyre, siç ka thënë ai, gabon shumë.

“Unë, skuadra dhe stafi së bashku me kryesinë jemi të pa thyeshëm. Kemi humbur 3 ndeshje, por nuk do demoralizohemi. Futbolli është sfidë për ne, unë jam mësuar me sfida nga mosha e re pasi gjithmonë i kam dashur sfidat dhe gjithmonë i kam kaluar me nder dhe krenari. Nuk ka rëndësi, humbje, barazim apo fitore, për mua ka rëndësi qyteti dhe qytetarët e Podujevës ku shumë shpejtë do t’i bëjmë krenar pasi nuk jam rastësisht në klubin e qytetit tim dhe projekti im dhe i vëllezërve Batatina është jo i shkurtër por projekt 50 vjeçar për klubin dhe qytetin ku çdo vit do ta ngrisim dhe avancojmë futbollin llapjan në nivele sa më të larta”, ka shkruar ai.

“Djemtë e skuadrës do të mësohen me sfida dhe ato së bashku me njeriun e sfidave do ti kalojmë bashkarisht, sepse ata e ndjejnë me zemër fanellën e klubit të cilën e mbajnë me nder dhe krenari. Shumë kanë filluar të qeshin herët por ai që buzëqesh në fund do të jetë K.F. Llapi. Së shpejti do ta shihni Llapin e vërtetë sepse djelmoshat duan dhe mund ta bëjnë atë kemi synim, pasi që jemi të bashkuar si asnjëherë më parë duke ditur se kemi një super President, një Nënkryetar të shkolluar dhe një drejtor ekzekutiv të ngritur profesionalisht të cilët kanë kaluar sfida më të rënda. Edhe në humbje edhe në fitore ne jemi dhe do të mbetemi skuadra që do ta thotë fjalën kryesore në kampionat, pa Llapin nuk ka Superligë ashtu siç nuk jeton peshku pa ujë. Ka pasur gjuajtje sporadike por ne do të fillojmë fuqishëm shpërthimin nga të gjitha anët”, thotë ai në Facebook.

Kujtojmë, Llapi ka humbur tri ndeshjet e para në këtë edicion. Fillimisht është mposhtur nga Gjilani, më pas nga Trepça ’89 dhe së fundi nga Ballkani. Ndërkohë, ekipi nga Zahir Pajaziti ende s’e ka zhvilluar ndeshjen me Dritën./Llapi.info