Në Gjermani numri i rasteve me koronavirus është rritur në javët e fundit. Të dhënat nga instituti “Robert Koch” (RKI) për sëmundje infektive të mërkurën treguan se janë regjistruar edhe 1.510 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 226.914.
Instituti tha se 39% e rasteve me gjasë janë importuar nga Kosova, Turqia dhe Kroacia, vende këto të cilat përmenden si burim i infeksionit në javët e fundit, raporton “Reuters”.
Ndërkohë, kreu i Rregullatorit të Vaksinave në Gjermani tha se disa grupe njerëzish që jetojnë në Gjermani mund të vaksinohen në fillim të vitit të ardhshëm kundër koronavirusit.
Deri më tani sëmundja COVID-19 ka vrarë pothuajse 800.000 në të gjithë botën dhe ka dëmtuar rëndë ekonominë globale.
Klaus Cichutek, kreu i institutit “Paul Ehrlich”, tha për grupin e gazetave “Funke” se të dhënat nga studimet e fazës së parë dhe të dytë treguan se disa vaksinat shkaktuan një përgjigje imune kundër koronavirusit.
“Nëse të dhënat nga provat e fazës së tretë tregojnë se vaksinat janë efektive dhe të sigurta, ato mund të aprovohen në fillim të vitit”, tha ai.
Disa kompani, duke përfshirë “Moderna”-n, “AstraZeneca”-n dhe “Pfizer Inc”-in, thonë se vitin e ardhshëm presin që të prodhojnë më shumë se 1 miliard doza të një vaksine.
Firma gjermane e bioteknologjisë, “CureVac”, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një procesi të shpejtë miratimi për vaksinën e saj të ardhshme dhe pret që ta nxjerrë në treg deri në mesin e vitit 2021.
Rusia ka thënë që vaksina e saj do të prodhohet deri në fund të këtij muaji.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 25 vaksina aktualisht duke kaluar në prova klinike dhe më shumë se 100 janë duke u zhvilluar në të gjithë botën.
Faza 3 e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjat për disa muaj, thotë OBSH-ja, e cila ka kërkuar nga të gjitha kompanitë dhe shtetet që t’u përmbahen udhëzimeve për prodhimin e vaksinave të sigurta dhe efektive. /REL






