Superliga e Kosovës në futboll rifillon sot pas gati tre muajve pezullim shkaku i krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, njofton Llapi.info.
Skuadra nga Podujeva, KF Llapi është nikoqire e Dukagjinit në ndeshjen e parë pas rikthimit në fushat e blerta.
Këto dy skuadra do të ballafaqohen për herë të tretë këtë edicion, derisa “Zahir Pajaziti” do të jetë arena e takimit. Ndeshja nis nga ora 16:00.
Nga dy duelet e para, klubi nga Podujeva regjistroi bilanc më pozitiv. Në Zahir Pajaziti llapjanët kishin fituar me rezultat të ngushtë 2-1, ndërkohë në Klinë ishin ndarë në paqe duke luajtur pa gola (0-0).
Llapi synim ka kalimin në garat evropiane për edicionin e ardhshëm, synim që duan ta realizojnë gjatë 11 ndeshjeve të mbetura të Superligës së Kosovës. Andaj, edhe në këtë takim Llapit i duhen pikët e plota. Të njëjtin qëllim e kanë edhe mysafirët për t’u larguar nga zona e kuqe e tabelës.
Pas 22 xhirosh, Llapi i Tahir Batatinës e gjen vetën në pozitën e gjashtë në tabelë me 34 pikë, sa i ka edhe Feronikeli që renditet i pesti. Ndërkohë, Dukagjini është në fund të tabelës, me vetëm dhjetë pikë të tubuara.
Si pasojë e masave parandaluese ndaj pandemisë COVID-19, të gjitha ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve në tribuna dhe në përputhje me udhëzimet nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkaq, skuadrat kanë të drejtën e pesë zëvendësimeve për shkak të orarit të ngjeshur, pasi do të ketë ndeshje çdo tri ditë.
Drejtësinë në këtë përballje do ta ndajnë treshja e gjyqtarëve; Genc Nuza, Bujar Selimaj dhe Fatlum Berisha./Llapi.info





