Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se qeveria në ardhje do të jetë një qeveri e dobët si dhe antidemokratike.
Sipas Bajqinovcit, këto parti që po tentojnë të formojnë qeveri janë vetëm një servis i Hashim Thaçit.
Shkrimi i plotë:
ANTIKUSHTETUESE, ANTIPOPULLORE DHE ANTIDEMOKRATIKE
Jo vetëm që do të ishte Qeveri antikushtetuese, por edhe Qeveri antipopullore, më shqip: kundër popullit. Jo vetëm që do të krijohet Qeveri e dobët por edhe Qeveri antidemokratike. Kjo paçavër kulturore, parapolitike e sociale, jo vetëm që nuk e reflekton legjitimitetin demokratik e kushtetues të fituesit të zgjedhjeve por kjo nuk e ka as legjitimitetin e partive që pritet t’i përfaqësojnë. Partia dhe lideri me më së shumti vota, nuk është me këtë Qeveri e cila pritet të formohet. Liderja dhe fryma mobilizuese pra vota politike dhe kauzat mbi bazën e të cilave ka ardhur deri tek votat partia e dytë, nuk janë brenda kësaj Qeverie që po tenton të formohet. Partinë e dytë e përfaqësojnë zyrtarë të saj me ZERO vota ose me vota të papërfillshme dhe më e rëndësishmja projeksioni politik dhe vlerat mbi të cilat është mbledhur vota qytetare e kësaj partie, janë në tërësi të përbëzura me disrespekt e arrogancë. Votuesi i LDK –së nuk ka votuar për Qeveri me shef Hashim Thaçin.
Pra tash kryeministri i ardhshem i LDK-së kalon nga zyret e Hashim Thaçit i cili e kërcënon partin fituese VV-në publikisht duke i quajtur mbi 220 mijë qytetar kriminel. As partia e tretë nuk është e përfaqësuar mirëfilli në këtë konglomerat mumjesh politike paçka se kjo parti, është një servis privat i Hashim Thaçit dhe pak a shumë të Kadri Veselit, megjithatë nuk mund të thuhet se votuesi i PDK –së është përfaqësuar në këtë paçavër Qeveri nëse kjo e fundit do të sigurojë dhe mbrojë interesat, interesat financiare në institucione si dhe po rrjetet e klanet personale të këtyre dyve pronarëve të saj. Partia e katërt është tërësisht në një përbërje qeveritare me qasje të ndryshme nga kauza që e ka marrë votën. Partia e pestë, nuk është fare parti. Asaj ja kaluan pragun Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa për ta përdorur kundër projektit të ndryshimit të madh që lindi më 6 tetor saktësisht ashtu siç po e përdorin. Futja e kësaj partie në Kuvend ishte në shkelje të hapur të vullnetit të popullit që votoi që ajo të mos ishte në Kuvend por që segmentet e drejtësisë së kapur e dredhuan tërësinë e procedurave ligjore deri në sajiimin antidemokratik të 6 deputetëve.
Këto parti që po tentojnë të formojnë qeveri janë vetëm një servis i Hashim Thaçit.
Nuk mundet askush kundër vullnetit të popullit dhe interesave të tij. Jemi këtu për t’i treguar këtij populli se sa fatkeqe është e ardhmja e shtetit ligjor me juve që i viheni kundër shtetit, Kushtetutës, demokracisë pra vullnetit popullor.






