Lokale - eSIMy

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është takuar të shtunën me Shoqatën e të Pagjeturve, në kuadër të takimeve senzibilizuese për themelimin e Tribunalit për Dënimin e Krimeve të Serbisë në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se drejtësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë në dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.

Sipas tij, Tribunali i Hagës i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Milosheviqit. Ndërkaq, Serbia është munduar ta mbyllë këtë punë duke organizuar gjykime të rrejshme të oficerëve të saj që kanë marrë pjesë në masakrat e kryera në Kosovë.

“Kjo është e papranueshme, 186 masakra të kryera në Kosovë kërkojnë drejtësi. Heshtja ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët. Kjo nuk guxon të ndodhë. Dhe nuk kemi me u ndalë deri në arritjen e qëllimit tonë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se institucionet e vendit kanë për obligim të mbrojmë jo vetëm lirinë, shtetin dhe jetën e qytetarëve, por edhe të vërtetën e luftës çlirimtare.

Veseli thotë se krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë janë të përmasave të gjenocidit.