Lokale - eSIMy

Asfalti në disa prej rrugëve të vendit po shtrohet shkel e shko. Vetëm pak muaj pasi po përfundojnë punimet, barishtet po “lulëzojnë” mbi asfalt. Dëshmi për këtë janë disa prej rrugëve të Klinës, Deçanit dhe Shtimes. Rrugët e këtyre komunave tashmë kanë filluar të shndërrohen në “kopshte”. Por edhe ky problem do të zgjidhet në kurriz të qytetarëve, pra me paratë e tyre. Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milionë eurosh për kontrollin e cilësisë së rrugëve në gjithë vendin.

Përveç luleve e pemëve, në disa komuna të vendit ka filluar të “lulëzojë” edhe asfalti. Pak muaj pas përfundimit të punimeve, barishtet kanë filluar të zënë vend nëpër rrugë.

Vetëm pesë muaj pas asfaltimit të rrugës Çabiq-Ujmirë në Klinë, bari tashmë ka mbirë në asfalt, ani pse për ndërtimin e kësaj rruge janë shpenzuar hiç më pak se 92 mijë e 238 euro.

Asfalti në Çabiq

Por, barishtet nuk po del të jenë problemi i vetëm në rrugën Çabiq-Ujmirë. Pothuajse në çdo pjesë të kësaj rruge asfalti është i shkatërruar e po të mundohesh vetëm pak, asfaltin mund ta largosh edhe me dorë.

Gjendja e rrugëve nuk është hiç më e mirë as në vendlindjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bari ka filluar të “lulëzojë” edhe në një rrugë në Gllogjan të Deçanit. Sipas qytetarëve rruga është shtruar para pesë muajsh, por cilësia e dobët ka bërë që bari të depërtojë mbi asfalt.

Asfalti në Gllogjan

Barishteve nuk kanë arritur që t’u “rezistojnë” as trotuaret në Komunën e Shtimes.

Trotuari në fshatin Petrovë-Llanisht tashmë është shndërruar në një kopsht. Aty pa u munduar fare mund të gjesh lloje të ndryshme barishtesh.

Qytetarët kanë dërguar fotografi në adresë të redaksisë, ku shihet trotuari i mbuluar nga bari, edhe pse ndërtimi i tij ka përfunduar vjeshtën e vitit të kaluar.

“Ky trotuar është shtruar në vjeshtën e vitit të kaluar në fshatin Petrovë-Llanisht, komuna e Shtimes. Ende pa i mbushur 1 vit gjendja e trotuarit është kjo”, tregon U.H nga Shtimja për Express.

Trotuari në Shtime

Pas raportimit të qytetarëve, Klina ka filluar ta prishë “kopshtin” që ishte zhvilluar në asfalt. Komuna e Klinës ka marrë masa menjëherë dhe rehabilitimi i kësaj rruge ka filluar. Por, njësoj nuk kanë vepruar edhe dy komunat e tjera.

Gazeta Express ka provuar të marrë informacione edhe nga dy komunat e tjera për gjendjen e këtyre rrugëve dhe koston e tyre, por që deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Por, problemit me cilësinë e asfaltit duket se shumë shpejt do t’i vijë fundi.

Ministria e Infrastrukturës së fundmi ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milion eurosh për “Ekzaminimet kontrolluese për materiale dhe për kualitetin e punëve në projektet e infrastrukturës rrugore”.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tenderi është i ndarë në dy grupe.

Në të parin hyjnë rrugët nacionale, rajonale dhe lokale, ndërsa në grupin e dytë hyjnë autostradat dhe zgjerimet e rrugëve nacionale e rajonale.

Ndryshe, Gazeta Express kishte raportuar se prej 2 mijë e 43 km rrugë sa ka tërë Kosova, vetëm 70 km rrugë kanë mbetur pa asfalt. Shumica e tyre rrugë rajonale.

Nga Divizioni për Komunikim Publik, në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës thonë se në total rrugë të paasfaltuara, qoftë nacionale apo rajonale janë 75.2 km.

“Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradave, rrugëve nacionale dhe rajonale. Rrugë nacionale të paasfaltuara janë vetëm 1.9 km, ndërsa rrugë rajonale të paasfaltuara janë 73.3 km”, ka thënë MI-ja.

E ndonëse janë gjithsej shtatë rrugë që janë pa asfalt, Ministria e Infrastrukturës ka nisur punën për ndërtimin e vetëm njërës prej tyre. Bëhet fjalë për rrugën Deçan-Kozhnjer që është 24 km.

Por, për të tjerat nuk kanë përmendur ndonjë vit se kur do të fillojnë saktësisht punimet për asfaltimin e tyre.

“Ministria e Infrastrukturës gjatë këtij viti ka filluar ndërtimin e fazës së parë të rrugës rajonale (R108) Deçan – Kozhnjer. Sa u përket rrugëve tjera, Ministria e Infrastrukturës do të shikojë mundësinë e përfshirjes së këtyre rrugëve në projeksionet buxhetore të viteve të ardhshme”, ka thënë MI-ja.

E se këto rrugë janë në këtë gjendje tash e sa kohë, ishte përmendur disa herë edhe në raportet për “Statistikat e Transportit”, që publikon Agjencia e Statistikave të Kosovës çdo tre muaj.

Mirëpo, në raportin e ASK-së për tremujorin e tretë të vitit 2018, thuhet se pa asfalt janë 90 km rrugë, e jo 75.3, siç thonë në Ministrinë e Infrastrukturës, edhe pse si burim për këto të dhëna kjo agjenci e ka MI-në.

“Në vitin 2017 nga gjithsej 2,043 km rrugë, 1,953.4 km apo shprehur në përqindje 95.6% janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 90 km apo 4.4% e rrugëve janë të paasfaltuara”, thuhet në raportin e ASK-së për TM3 të 2018-s.