Lokale - eSIMy

Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duket se i është sosur durimi ndaj sjelljeve të fundit të Serbisë.

Ai ka bërë të ditur se nuk do t’i tolerojë në pakufi veprimet e shtetit serb për ndalimin e zyrtarëve qeveritarë të Kosovës në pika kufitare, raporton KTV.

“Do të marrim masa, nuk po paragjykoj çfarë masash, po edhe na dimë me ia dalë vetë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, kur është pyetur për Samitin e Berlinit, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se aty vetëm do të ripërsëriten qëndrimet e deritashme për temat e diskutueshme me Serbinë.

“Qëndrimet tona nuk kanë ndryshuar, shpresoj që atje të jemi më unifikues”, ka shtuar ai

Haradinaj ka shprehur qëndrimin e tij edhe për protestën e Lëvizjes Vetëvendosjes kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Sipas tij, veprimet e tilla janë ndërhyrje në drejtësi. Të gjitha këto komente, Ramush Haradinaj i bëri të premten, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai, ndër të tjerash, bëri të ditur se ekzekutivi kosovar ka ndarë 390 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, 1 milion euro të tjera për kompensimin e dëmeve nga të reshurat në Rahovec, kurse i ka liruar nga taksa mallrat, të cilat Bashkësitë Fetare i përdorin për ekzistimin e tyre.