Në fushën specifike të migracionit, shtetasit shqiptarë thyejnë një tjetër “rekord”, kësaj radhe në Irlandën e largët.
Sipas burimeve zyrtare të aeroportit të Dublinit, të zbardhura nga gazeta The Journal.ie, gjatë vitit që po mbaron janë pikërisht shqiptarët në majën e listës së personave që u është refuzuar hyrja në territorin e Irlandës.
Të dhënat përfshijnë vetëm refuzimet në kufirin brenda aeroportit, që duke qenë Irlanda një ishull janë gjithsesi një pjesë e mirë e refuzimeve totale.
Sipas të dhënave, 487 nënshtetas shqiptarë janë refuzuar të kalojnë kufirin, për arsye që shpesh herë kanë të bëjnë me mungesën e dokumentacionit, por edhe nga precedentët penalë të personave në fjalë, shkruan a2.
Shqiptarët ndiqen nga pas nga brazilianët (459), gjeorgjianët (365), kurse më larg gjenden bolivianët dhe afrikanët jugorë.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2016, shqiptarët që banojnë në Irlandë në mënyrë të rregullt ishin 727.






