Policia në pjesën me shumicë serbe të Bosnjës e kanë arrestuar një person që po e kërkon të vërtetën për vdekjen e djalit të tij. Kërkesa e tij është përkrahur nga shumë njerëz të cilët kanë organizuar një varg protestash. Policia e arrestoi atë për mospërgjigje ndaj thirrjes për t’u marrë në pyetje.
Policia e arrestoi Davor Dragiçeviqin në Banja Lukë, kryeqytetin e Republikës Serbe të Bosnjës. Përpos tij, policia arrestoi edhe persona të tjerë, përfshirë ish-bashkëshorten e Davorit. Avokati i familjes së tij ka thënë se ai është lënduar gjatë arrestimit, por policia e ka mohuar një gjë të tillë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet përleshja mes policisë dhe civilëve në sheshin qendror të Banja Lukës.
Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë e ka lëshuar një deklaratë, në të cilën thuhet se ata janë duke i përcjellur zhvillimet e fundit për këtë rast. “Rrjedha e sotme e ngjarjeve dërgon shenja negative dhe alarmuese për gjendjen e sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.
Babai i djalit të vdekur e themeloi lëvizjen “Drejtësi për Davidin” pas vdekjes së dyshimtë të djalit të tij 21-vjeçar në mars të këtij viti. Ai ishte gjetur i vdekur në një përrua një javë pasi ishte zhdukur. Sipas babait të tij, djali është rrëmbyer, keqtrajtuar dhe vrarë. Në anën tjetër, policia thotë se atij i është gjetur alkool dhe drogë dhe se është mbytur vetë në ujë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.






