Një fëmijë me nevoja të veçanta dyshohet të jetë rrahur nga mësuesi në shkollë. Fëmija ka shenja të mëdha në trup. Derisa familjarët akuzojnë mësuesin, ky i fundit thotë të mos ketë ushtruar dhunë ndaj nxënësit asnjëherë, raporton KTV.

Një nxënës i klasës së nëntë në shkollën fillore të fshatit Gërdovc të Podujevës dyshohet të jetë rrahur nga njëri prej mësuesve të tij.

Familjarët, që nuk dëshirojnë të zbulojnë identitetin e fëmijës e as të tyre, thonë se mësuesi ushtroi dhunë ndaj djalit të tyre, i cili duket të jetë me nevoja të veçanta.

Pak kohë pas incidentit në shkollë, nëna e fëmijës thotë t’i ketë parë këto plagë.

Megjithatë edhe familjarët pranojnë se djali i tyre shpeshherë di të jetë i dhunshëm.

Mësuesi nuk pranon se ka ushtruar dhunë, megjithatë nuk dëshiron të dalë në media.

Se fëmija është me nevoja të veçanta dhe se shpeshherë tregohet i dhunshëm, e konfirmojnë edhe pjesëtarë të tjerë të stafit të shkollës.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës është në njohuri për incidentin e ndodhur.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Nexhmi Rudari, thotë se nëse konstatohet se ka pasur dhunë të ushtruar nga mësuesit, atëherë do të merren masat e nevojshme.
Drejtoria e Arsimit, kohë më parë, ka pranuar ankesa nga stafi i shkollës, të cilët kishin kërkuar që i riu me nevoja të veçanta të largohet nga shkolla dhe të shkojë në ndonjë shkollë speciale.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka intervistuar mësuesin e dyshuar, porse, sipas këtij institucioni, familjarët kanë deklaruar se mësuesi nuk është fajtori për këto plagë./KTV