Revista javore amerikane, Newsweek, i ka kushtuar një artikull idesë së Presidentit të vendit, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, ku ka treguar se si lidershipi kosovar është thellësisht i ndarë rreth kësaj çështje.
Artikulli fillon me vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Shtetet e Bashkuara për të lobuar kundër propozimit të paraqitur nga Presidenti Hashim Thaçi.
“Unë kam qenë vetë pjesë e përvojave të vështira të luftërave dhe tragjedive, kështu që nuk dua t’i shoh fëmijët tanë tani duke përjetuar atë që kemi përjetuar 20 vjet më parë”, ka thënë Haradinaj për Newsweek gjatë një takimi në New York, transmeton Klan Kosova.
Por revista e njohur amerikane shkruan se Presidenti Thaçi mendon se ka një zgjidhje për mosmarrëveshjen e gjatë me Serbinë që ka mbajtur Kosovën jashtë institucioneve ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Propozimi, i cili mbështetet nga Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç, synon që pjesa e veriut të Kosovës e cila banohet nga serbët etnikë, t’i bashkohet Serbisë, në këmbim të një pjese të Serbisë jugore e cila banohet nga shqiptarët etnikë. Shkëmbimi i territorit, i përshkruar në “New York Times” gjatë muajit të kaluar si ide paqësore e “spastrimit etnik” është kundërshtuar prej kohësh nga komuniteti ndërkombëtarë”.
Newsweek tregon se Haradinaj nuk është i vetmi që e kundërshton këtë plan, pasi që javën e kaluar rreth 20,000 protestues janë mbledhur në kryeqytetin e Kosovës për të protestuar kundër kësaj ideje.
“Disa protestues bënin thirrje që presidenti i Kosovës të mos e mbështeste këtë ide. Një sondazh i kryer së fundmi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka gjetur se mbi 75 për qind e të anketuarve e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve”, ka shkruar Newsweek.






