Lokale - eSIMy

Vetëvendosje sot me fillim prej orës 14:00 do të mbajë protestën e rradhës me moton “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

Protesta mbahet kundër idesë së presidentit, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.

E ndryshe nga herat e kaluara, Vetëvendosje kësaj rradhe nuk e ka përkrahjen e plotë nga partitë opozitare.

Megjithatë, nga ky subjekt po thonë që numri i protestuesve pritet të jetë shumë i madh.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, ka thënë sot për lajmi.net se nga faktet të cilat janë parë në terren, numri i protestuesve pritet të jetë shumë i madh.

“Bazuar në ato që i kemi si informatë nga tereni, numri i protestuesve do të jetë i madhë, dhe kjo nuk është kufizuar vetëm me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo janë qytetarët të cilët janë të brengosur për fatin e vendit, domethënë protesta bëhet për fatin e vendit dhe jo për Vetëvendosjen”, ka thënë Kurteshi për lajmi.net.

Kujtojmë, se në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe dy deputetë të LDK-së.

Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli kanë dalur edhe zyrtarisht kundër qëndrimit të kryetarit të partisë së tyre, Isa Mustafa.