Lokale - eSIMy

Përmes një njoftimi për media, OVL UÇK Dukagjin, thotë se së bashku me të gjithë luftëtarët që përkrahën protestën e 26 shtatorit, përshëndet nismën e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi për fillimin e hetimeve për zbulimin se kush publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve.

“Kjo nismë, ishte dhe kërkesa e parë e protestës së Luftëtarëve ‘Faleminderit Kosovë’”. Ne inkurajojmë Prokurorinë, që të bëjë edhe hapin e dytë, duke kërkuar falje ndaj të gjithë luftëtarëve të cilët u ofenduan publikisht nga ky lëshim i papërgjegjshëm dhe e gjetën veten padrejtësisht në ‘listat e mashtruesve’”, thuhet në njoftimin për media të kësaj dege te OVL-së.

“Gjithashtu, ne edhe njëherë shprehim vullnetin tonë që të kontribuojmë në përmirësimin e gabimeve të mundshme në procesin e verifikimit të veteranëve. Ne fund, për dobi të këtij procesi, ne shpresojmë edhe lirimin e shpejt të bashkëluftëtarit tonë Shkumbin Demaliaj”, thuhet në njoftim.

Dje gjatë ditë, Kryeprokuroria e Kosovës ka bërë me dije se Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar hetime ndaj zyrtarëve të drejtësisë apo personave të tjerë për shkak të publikimit të listave të veteranëve.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të fillohen hetimet paraprake për të verifikuar çdo veprim të personave zyrtarë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe, të zyrtarëve apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve, nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale me rastin e publikimit të emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo pjesëtarëve luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Në listën e publikuar të veteranëve mashtrues kanë gjetur emrin shumë persona që kanë qenë pjesë e UÇK-së, e një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha.