Durim Salihu, drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës e udhëhequr nga Agim Veliu sot gjatë ditës ka larguar gazetarin e Llapi.info nga zyra e tij duke i thënë që mos ta shoh kurrë tek ai.
E gjithë kjo ka ardhur pasi që gazetari i Llapi.info ka pyetur Salihun rreth lejes së ndërtimit të objektit banesorë “Benidona” në Podujevë.
Gazetari i Llapi.info ka pyetur Salihun rreth planit urbanistik në Komunën e Podujevës se sa kate mbi dhe është e lejueshme të ndërtohen objektet banesore në Komunën e Podujevës duke kërkuar sqarime lidhur me objektin banesor të “Benidona”, e cila deri tani ka filluar katin e nëntë të ndërtimit.
Salihu ka thënë se me leje është që të ndërtohet podrumi, përdhesa, sipërdhesa dhe shtatë kate, por deri tani, objektit të “Benidona” ka filluar t’i ndërtohet kati i nëntë.
Por, pas kërkesës së gazetarit për ta parë lejen e këtij objekti, Salihu edhe pse fillimisht ka lejuar gazetarin të hyjë në zyre, ai ka kërkuar që gazetari të largohet nga zyra dhe të mos i shkojë asnjëherë për të marrë informata nga ai.
“Liroma zyren dhe mos të shoh më kurrë brenda. Liroma zyrën, kush je ti me më marrë në pyetje mua. Mos më pengo. Jam në orar të punës dhe mos me pengo.”, i ka thënë ndër të tjera.
Nuk është hera e parë që drejtorët e drejtorive në Komunën e Podujevës largojnë gazetarët nga zyret e tyre për të mos ua mundësuar të marrin prononcime rreth temave të caktuara.





