Lokale - eSIMy

Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Kornizën afatmesme buxhetore 2018-2020, vendimi për vënien në diskutim publik të ndryshimeve të Planit Rregullues të Hollësishëm – Zona Qendër në Podujevë dhe disa vendime të tjera, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka shqyrtuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) e Komunës së Podujevës 2018-2020; propozim vendimin për miratimin e përbërjeve të Komiteteve Konsultative; propozim vendimin për mbështetje financiare për Teatrin Publik të Qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë dhe propozim vendimin për vënien në diskutim publik të ndryshimeve të Planit Rregullues të Hollësishëm – Zona Qendër në Podujevë.
Lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore komunale (KAB) , drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi, tha se për këtë dokument janë zhvilluar dëgjime me qytetarë në disa lokalitete.

Më tej drejtori Latifi tha se KAB është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës, dhe është hartuar në përputhje me procedurat buxhetore 2018/2020 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes Qarkores buxhetore 2018/01.

“Me këtë dokument janë përcaktuar kufijtë fillestar buxhetor për Komunën e Podujevës në vlerë prej 20,740,857.00 euro për vitin 2018, duke e ndarë grantin për Administratë të përgjithshme 7,979,781.00 euro, grantin për arsim 8,792,462.00 euro, grantin për shëndetësi 2,411,000.00 euro. Kurse janë planifikuar të hyra vetanake prej 1,557,614,00 euro. Nëse e krahasojmë me buxhetin aktual të vitit 2017 kemi një ngritje prej 1,465,000.00 euro”, tha drejtori Latifi.

Më tej  Latifi tha se Korniza afatmesme buxhetore (KAB) paraqet një mjet të procesit të zhvillimit të buxhetit që bënë ndërlidhjen e resurseve në dispozicion me prioritetet e Komunës, duke u bazuar në qëndrueshmërinë e programeve Komunale gjatë periudhës së ardhshme trevjeçare.
“Me Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) paraqiten shpjegimet e politikave – prioriteteve të tanishme dhe afatmesme të Podujevës si dhe projeksionet lidhur me mënyrën me të cilën buxheti i Komunës do të përmbush projektet me prioritetet që do të përcaktohen sipas buxhetit për vitet 2018-2020”, tha drejtori Latifi.

Latifi tha se Qarkorja buxhetore 2018/01 do të pasohet me qarkoret e tjera, me të cilat do të përcaktohet buxheti final për vitin 2018 dhe projeksionet për vitet 2019-20.
Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Softolli, i dha mbështetje Kornizës afatmesme buxhetore të Komunës së Podujevës, për të cilën tha se përcakton prioritetet për zhvillim dhe projeksionet e qeverisjes komunale për tri vitet në vazhdim.

Ndërsa, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, bëri vërejtje lidhur me buxhetin e ulët të ndarë në Drejtorinë Zhvillimit Ekonomik dhe në atë të Administratës si dhe mungesën e projekteve konkrete në disa sektorë.
Edhe shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, bëri vërejtje duke thënë se projektet e planifikuara me KAB nuk plotësojnë kërkesat e qytetarëve. Lidhur me këtë dokument diskutuan edhe këshilltarët komunalë: Adelina Stublla dhe Bahri Hyseni (VV) si dhe Naim Qunaku.
Sqarime lidhur me këtë dokument kanë dhënë edhe drejtorët komunalë, Fatmir Gashi i Administratës, Faik Muçiqi i Shërbimeve Publike, Durim Salihu i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Avni Fetah i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Pas diskutimeve, me shumicë votash Kuvendi miratoi Kornizën afatmesme buxhetore 2018-2020.
Në mbledhjen e sotme, Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për miratimin e përbërjeve të Komiteteve Konsultative; vendimi për mbështetje financiare për Teatrin Publik të Qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë dhe; vendimin për vënien në diskutim publik të ndryshimeve të Planit Rregullues të Hollësishëm – Zona Qendër në Podujevë.