Lokale - eSIMy

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu së bashku me shefat e grupeve të këshilltarëve nga LDK dhe PDK-ja kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial të Heroit të Kosovës, Komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti në fshatin Orllan dhe në kompleksin memorial Baza e Parë e UÇK-së në fshatin Lladoc, transmeton llapi.info.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Veliu në një status në llogarinë e tij Facebook ka shkruar se Podujeva sot feston ditën më të rëndësishme në historinë e saj të lavdishme, Ditën e Çlirimit.

Ai ka shkruar se “në këtë datë, më 19 qershor të vitit 1999, qytetarët tanë iu gëzuan ndjenjës më të bukur, ndjenjës së lirisë.”

“Kjo ditë shënon një nga ngjarjet më kulmore të historisë sonë, çlirimin nga regjimi serb.
Është dita e kurorëzimit të aspiratave shekullore për liri.
Në këtë përvjetor çlirimi, si në çdo vit tjetër, kujtojmë me nderime, deri në përulje sakrificën e bijave dhe bijve më të mirë të kombit të cilët nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre në rrugën drejt lirisë”

“Përjetësisht u jemi mirënjohës edhe aleatëve tanë, NATO-s, SHBA-ve dhe vendeve mike të BE-së të cilët mbështetën përpjekjet tona të drejta për ta çliruar vendin tone”

“Të nderuar qytetarë të Llapit,
Me bindjen e fuqishme se vendi ynë çdo ditë e më shumë po avancon drejt fuqizimit, zhvillimit dhe mirëqenies së përgjithshme,

Urime Dita e Çlirimit, gëzofshi gjithmonë të lumtur dhe të lirë!” ka përfunduar shkrimin e tij Veliu.