Nxënësit e klasës IX/2 të shkollës fillore “Pavarsia” në Sibovc të Podujevës janë ankuar se kujdestarja e klasës së tyre e obliguar nga Nysret Ismajli, drejtor i kësaj shkolle, i ka kushtëzuar këta nxënës që t’i paguajnë dëmet materiale brenda kësaj klasë në mënyrë që t’i marrin diplomat nga kjo shkollë, shkruan Llapi.info.
Nxënësi(emër i njohur për redaksinë) ka treguar për Llapi.info se drejtori i kësaj shkolle ka kërkuar nga kujdestarja e klasës së tyre që nga nxënësit të kërkohen t’i paguajnë shumën nga 5 euro sipas tyre për dëmet materiale që të mirren diplomat.
I kontaktuar nga Llapi.info, drejtori i arsimit në Komunën e Podujevës Avni Maloku nuk ka dijeni për këtë rast por tha se nuk është normale që nxënësi ta thyej karrigen e të mos përgjigjet askush për atë.
“Nuk është normale ajo që nxënësi ta thyej karrigen dhe të mos përgjigjet askush. Në këtë kontekst e kanë keqkuptuar ata. Prandaj pse, sepse është dashur që të marret dikush me atë problem. Nxënësit nuk guxon me i pengu askush për atë u garantojë unë. Vetëm nëse librat nxënësi nuk i kthejnë nxënësit, ministria thotë se ka me i kompensua nxënësi apo prindi. Për ato tjerat nuk po e disha rastin, Nuk kam informata për këtë, vetëm për libra prindi duhet ti kompensoi ndërsa për tjerat nuk guxohen me ju kërkua paret dhe nuk kam informata që ka kërkua askush, do ta hulumtoi rastin.”, tha Maloku.
Ndërsa drejtori i shkollës “Pavarësia” në Sibovc Nysret Ismajli ka mohuar rastin duke thënë se nxënësit nuk janë të kushtëzuar për t’i paguar dëmët që tu lëshohen diplomat.
“Jo nuk është i vërtetë rasti, vetëm se nuk i ka ba gati akoma kujdestari, është në pregatitje e sipër. Ne asnjëherë nuk kemi pagesa, ne përgjithë çka bisedojmë me prindërit e fëmijëve por jo me fëmijë. Diplomat do të ju lëshohen sepse arsimi fillor është i obliguar, ne nëse nuk vinë në shkollë duhet me shku me i marrë vet e le më mos me ua leshu ato. Nxënësit nuk janë të kushtëzuar për ti paguar dëmët që tu lëshohen diplomat.” tha ai.