Meqë ardhja e verës është afruar kafiteritë e shumta nëpër Podujevë kanë filluar që tarasat e tyre t’i zgjerojnë duke i vendosur ato në trotuare e parkingje publike, shkruan Llapi.info.
Kështu ka ndodhur edhe në parkingun pas banesave të Podujevës ku një kafiteri ka bllokuar një pjesë të parkingut të banesave duke i vendosur karriget e biznesit të tyre.
Për këtë lokal komuna e Podujevës në një përgjigje për Llapi.info ka thënë se nuk ka leje për shfrytëzim të asaj hapësire dhe se ndaj pronarit të këtij biznesi Inspeksioni i Komunës ka ushtruar fletëparaqitje në gjykatë.
“Lokali “Connecet Bar” në Rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nuk ka leje për shfrytëzimin e hapësirës publike dhe për këtë çështje ndaj pronarit të këtij biznesi Inspeksioni i Komunës ka ushtruar fletëparaqitje në gjykatë”, thuhet në përgjigje.
Rast i tjetër është pak metra më tej ku një lokal tjetër ka vendosur vazo lule në rrugë duke i penguar veturat të kalojnë lirshëm dhe të parkohen në atë pjesë.
Edhe një tjetër kafene karriget e saja pronarët i kanë vendosur në hapësirat publike.
Ndaj tyre, në përgjigjen e komunës së Podujevës thuhet se Inspeksioni komunal do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet ligjore për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara.
“Inspeksioni komunal do të ndërmarr të gjitha masat dhe veprimet ligjore për lirimin e hapësirës publike të uzurpuar. Njësoj do të veprohet ndaj të gjitha bizneseve, të cilat në mënyrë të kundërligjshme shfrytëzojnë hapësirat publike.”, thuhet në përgjigjen e komunës.