Isa Mustafa ka thënë se LDK shkon në zgjedhje të reja me një kandidat të ri për Kryeministër. Nuk ka dhënë emër por ka thënë se ai nuk do të jetë përsëri kandidat i LDK-së për udhëheqës të Qeverisë.
“Në bisedë me bashkëpunëtorët e ngushtë kemi vendosur që në mandatin e ardhshëm të kemi një Kryeministër tjetër. Sepse ne duhet të hapim rrugë në LDK për kuadro. Duhet të hapim rrugë për njerëz të ri”, ka thënë Kryeministri në shkuarje, përcjell Llapi.info.
“Unë do të ulem me nënkryetarët e partisë, me sekretarin, me kryetarët e degëve dhe do të dalim me propozim se kush do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Republikës nga LDK-ja”, ka shtuar ai.
Megjithatë, burime të Llapi.info brenda LDK-së kanë treguar se është duke u biseduar se kandidat për kryeministër të Kosovës nga LDK të jetë nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu njëherësh kryetar i Podujevës.
Por, këtë për Llapi.info e ka mohuar vet Veliu i cili shkurt tha se nuk është diskutuar për këtë dhe se për atë bisedohet në organet vendimarrëse të kësaj partie.
“Nuk kemi diskutuar për atë punë. Nuk është ajo punë që duhet me u bë, ajo punë bisedohet në strukturat dhe organet e partisë vendimarrëse të partisë”, ka thënë shkurt Veliu.