“Qendra Rinore Blue” nga Podujeva përmes projektit “Edhe ne kemi të drejtat tona” po synon që ti vetëdijesoi të rinjtë për të drejtat e tyre, shkruan Llapi.info.

Drejtori i kësaj qendre, Gëzim Haliti për Llapi.info tha se me anë të këtij projekti synohet që të vetëdijesohen të rinjtë si dhe të kërkojnë të drejtat e tyre të cilat u takojnë me ligj. Sipas tij kjo kampanjë do t’u ndihmoi atyre që të kenë qasje sa më shumë në vendimmarrje.

“Ky projekt ka për qëllim vetëdijesimin e të rinjve për të drejtat e tyre të cilat u takojnë me ligj. Ne me anë të këtij projekti synojmë që ti njoftojmë të rinjtë për të drejtat e tyre si dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes në organet komunale. Pra ne shpresojmë se do të gjejmë përkrahje edhe nga ana e qytetarëve për të cilët është duke u zhvilluar kjo kampanjë”, tha ai.

Më tej Haliti tregoi se ky projekt do të zgjas deri më 24 maj ndërsa të gjithë të rinjtë të cilët duan të jenë pjesë e këtij projekti të ju bashkëngjiten atyre përmes aplikimit në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook “Qendra Rinore Blue”.

Ky projekt përmban Kampanjë vetëdijësuese, mbajtjen e ligjëratave nëpër shkollat e mesme në Podujevë, organizimin e një aksioni vullnetar, ekskursion nëpër Kosovë dhe trajnim dhe konferencë me akterët kryesorë të rinisë në Podujevë./Llapi.info./