Në një aktivitet ku morën pjesë antarë e simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje, Kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri bashkë me Kryetarin e Qendrës së Besianës, Bajram Ajeti, e prezantuan dhe i uruan mirëseardhje edhe veprimtarit Ajet Potera i cili ka vendosur të bëhet pjesë e VETËVENDOSJE!-s.

Sipas një komunikate për media, aderimin e Poterës Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar me vlerë të shtuar.

“Në këtë kohë kur Lëvizja e ka rritur mbështetjen e saj, ardhja e Poterës dhe shumë të tjerëve është vlerë e shtuar dhe dëshmi që Besiana po orientohet kah fitorja e VETËVENDOSJE!-s. Kjo do të thotë që qytetarët e Besianës janë faktorë të fitores që sjell shtet të së drejtës, edukim e shëndetësi cilësore dhe gjithsesi mbështetje serioze të bujqësisë.”, thuhet në komunikatë.

Potera është profesionist në fushën e financave dhe kontabilitetit dhe poashtu ka përvojë në fushën e sigurisë e akademisë ushtarake. Ai ishte kthyer nga Gjermania për t’u bërë pjesë e UÇK-së përgjatë luftës.