Lokale - eSIMy

Shkruan: Eduard Haliti, gazetar

Qyteti i Podujevës përballet me shumë probleme prej tyre disa shumë serioze. Nuk mund të themi se qytetet tjera funksionojnë dhe nuk përballen me probleme të ndryshme, por në komunën e Podujevës ato probleme nuk po “ia vranë” syrin askujt, as atyre që paguhen për t’u marrë e për t’i rregulluar ato. Kjo vlen për inspektorët komunal të cilët abuzojnë me punën e tyre dhe nuk inspektojnë pothuajse asnjëherë veprimtari biznesi i cili ushtrohet në Podujevë.

Vendos të dalësh për tu relaksuar në një kafe, por kthehesh i tërbuar. Sapo të kthehesh menjëherë duhet të hysh në banjo, ti ndërrosh e ti pastrosh rrobat. Nëse nuk ke ujë, do kundërmosh erë të keqe cigareje. Si vjen deri te kjo, sapo të hysh ne një lokal vjen kamarjeri i cili gati gjithherë mbanë një shpuzore në dorë. Ndoshta ndonjëherë jo. Ska faj as ai, e detyron pronari. Ai merr një tabllë në dorë e ta vendosë pranë që të ‘shkundësh’ cigaren. Për ta vërtetuar këtë mjafton të dalësh në secilën kafe të Podujevës, në çfarëdo kohë, ditë apo natë dhe ta shohësh se si shkilet ligji anti duhan me të dyja këmbët.  Inspektorët komunal flenë në gjumë. Ata nuk i inspektojnë asnjëherë lokalet në Podujevë. Ndodh që i vizitojnë për të pirë e për të tymosur vetë duhan, por jo për t’i inspektuar ato.

Ndërsa ,mijëra euro janë shpenzuar për të ndërtuar tregun e qytetit të cilën tregtarë të shumtë nuk e shfrytëzojnë. Kjo pasi që inspektorët komunal flenë. Ata pothuajse asnjëherë nuk inspektojnë lokalet e improvizuara rreth e rreth objektit të ri të komunës i cili është në ndërtim. Ani pse përballë gjykatës komunale aty ku “lulëzon” drejtësia, shumë qytetarë shkelin ligje e rregullore administrative komunale.

Edhe më e rrezikshme është ajo që në qytetin e Podujevës, afër institucioneve publike, shkollave, komunës, çerdheve, gjykatës etj… gjenden me dhjetëra bastore sportive. Edhe në këtë rast inspektorët komunal flenë gjumë apo më mirë të themi bëjnë “njërin sy qorr”. Pse e bënë këtë e dinë më së miri ata vet. Është bastorja sportive në rrugën Skënderbeu të cilën Dogana mbrëmë e mbylli dhe ia konfiskoi kompjuterët. Por ku janë inspektorët komunal? A ekzistojnë ata? Po po, normal që po, por ata nuk po e kryejnë punën e tyre. Ata po vazhdojnë të bëjnë njërin sy qorr duke e ditur se bastore të tilla gjenden anë e mbanë qendrës së qytetit. Po të duan ta dinë se ku janë, të lajmërohën, do t’ua tregojmë vendet ku funksionojnë nëse “nuk e mbyllin njërin vesh”!

Rasti i fundit i publikimit të një video në rrjetet sociale ku shihej një punëtorë i ndërtimtarisë duke rrezikuar jetën e ndoshta pa dëshirën e tij, të bënë të pyesësh a ka dalur ndonjëherë inspeksioni për të inspektuar a po zbatohen të drejtat e punëtorëve në Podujevë?

Edhe inspektorët e transportit flenë gjumë. Taksitë ilegal përvec që po shkaktojnë tollovi në qytet ata edhe po rrezikojnë komunikacionin e po shkelin ligjin. Por inspektorët nuk po i shohin. Apo ndoshta po i shohin një ditë, ndërsa një muaj jo. Nuk po e kryejnë punën e tyre.

Kjo mos kryerje e punës së tyre nga Inspektorët komunal të Podujevës po bënë që qyteti të përballet me shumë probleme. Inspektorët paguhen nga taksat e qytetarëve andaj duhet ta kryejnë punën e tyre. Kjo mbyllje syve dhe veshëve ndaj dukurive negative që po ndodhin në qytetin e Podujevës po bënë që rinia e Podujevës të mashtrohet nga grupe të ndryshme për interesa të caktuara financiare e personale sic është rasti i bastoreve sportive.

Inspektorët duhet të jenë të guximshëm e të ndershëm në punën e tyre. Nëse këto dyja nuk i keni, ju inspektorët e tanishëm më mirë ikni në shtëpi, lëni vend atyre që munden të merren me këtë punë!