Gjashtë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton Llapi.info.

IKSHPK thotë se sot janë testuar 191 mostra, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

“Sot më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 191 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej gjashtë (6) raste. Rastet pozitive janë raste kontakti, dy (2) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe dy (2) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: një (1) rast Pejë dhe një (1) rast Llugaxhi”, thuhet në njoftim.

Më datë 21 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 40 vjeç me vendbanim në Gjakovë dhe e konfirmuar me COVID-19 me datë 15.04.2020. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive dhe trajtuar në Mjekimin Intenziv me Dg.COVID-19, Graviditas hbd 28.

Komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit kanë raportuar nga një (1) rast të vdekjes.

Sot më 21 prill 2020, janë shëruar edhe pesë (5) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tetë (128) raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e katër (604) raste, ndërsa gjithsej tetëmbëdhjetë (18) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje./Llapi.info