Nën patronazhin e Zyrës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ekspozita “59” ka bërë bashkë fotografi të shtatë reporterëve që ia dëshmuan botës krimet ndaj shqiptarëve e momentet historike të Kosovës

Në një tendë të bardhë në afërsi të institucioneve kryesore të vendit të shtunën është hapur ekspozita me fotografi të fotoreporterëve që në kohë lufte ia dëshmuan botës atë që po ndodhte në Kosovë, e të tjera që shpalosin momente historike të vendit. E para që bie në sy është fotografia ku shihet një i moshuar tek rrihet nga policia serbe në vitin 1998.

Janë vepra të Hazir Rekës, Visar Kryeziut, Alban Bujarit, Afrim Hajrullahut, Burim Myftiut, Driton Paçaradës e Ridvan Slivovës, që janë bërë tok në ekspozitën “59” që ka edhe simbolikë. Lidhet me 59 të vrarët e familjes Jashari.

Fotografitë, shpesh rrëqethëse, e dominojnë ekspozitën.

Alban Bujari, fotoreporter i “Kohës Ditore”, prej fondit të madh të fotografive që ka shkrepur gjatë luftës, për këtë ekspozitë ka bërë përzgjedhje të kujdesshme. I ka cilësuar tejet të rëndësishme epopenë dhe ekspozitën.

“Pa tjetër që Epopeja e UÇK-së dhe ekspozita ‘59’ kanë rëndësi të madhe historike, për dëshmimin dhe faktimin e krimeve serbe të kryera në Kosovë, duke filluar nga Qirezi, Likoshani, Prekazi, Rogova e Hasit, Krusha e Vogël etj., ku në Prekazin e Epërm isha pjesëmarrës tërthorazi si fotograf duke dokumentuar luftimet e ashpra në mes forcave serbe dhe familjes Jashari, e po ashtu edhe ditën kur i varrosëm, më 11 mars 1998”, ka thënë Bujari.

Jo pak fotografi nuk ka mundur t’i shpalosë në ekspozitë.

“Janë aq të rënda për publikun, ku trupat e të pajetëve janë gati të paidentifikueshëm, andaj nuk janë pjesë e ekspozitës”, është shprehur Bujari.

Të qenit shqiptar në kohën e luftës, siç thotë fotografi tjetër pjesëmarrës i ekspozitës, Visar Kryeziu, ka qenë shkas për të qenë cak i aparatit shtetëror serb e edhe më e rrezikshme ka qenë puna si fotoreporter. Derisa ka thënë se të qenit aty i zgjon emocione të fuqishme, ai është shprehur i zhgënjyer me dokumentimin e ekspozimin e krimeve të luftës nga institucionet.

“Personalisht jam shumë i mllefosur se si ne si shoqëri nuk e kemi një institut apo një muze të luftës ku njerëzit do të mund të vinin e të informoheshin nëse duan ta dinë se çfarë ka ndodhur. Te ne historia po transmetohet përmes gojëdhënave dhe thjesht përmes përjetimeve të një personi apo të një tjetri; perspektivës së një personi, por nuk e kemi një institut apo një muze të luftës ku shkon, informohesh për ngjarjet, për masakrat që kanë ndodhur, viktimat me emra e di saktësisht kur ka ndodhur, çfarë ka ndodhur dhe përse ka ndodhur”, ka thënë Kryeziu.

Derisa ekspozita përfundon me fotografi nga festimi i Pavarësisë, të tjerat vijnë nga lufta e kanë vlerë të dokumentimit të vrasjes së civilëve të pafajshëm, dëbimit agresiv, shkatërrimit të shtëpive, por edhe rezistencës së shqiptarëve e lirisë nga okupimi.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në hapje të ekspozitës e ka përmendur edhe mjeshtërinë dhe vlerën dokumentuese të punës së foto-gazetarëve.

“Nëpërmjet syrit të shtatë fotografëve para jush sot sjellim retrospektivën e zhvillimeve nga lufta deri në pavarësinë e vendit në shkurtin e vitit 2008. Mjeshtëria e autorëve ka vënë në spikamë detaje të një periudhe të mundimshme të kalvarit tonë për liri dhe pavarësi të vendit. Secila fotografi është rrëfim në vete, secila ka një mesazh. Shumica prej tyre të papublikuara më parë”, është shprehur ajo. “59” pritet të qëndrojë e hapur edhe të dielën e 7 marsit deri në orën 18:00.

Image

“Secila fotografi është rrëfim në vete, secila ka një mesazh”, ka thënë në hapje të ekspozitës, Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentes (Foto: Petrit Daku)