Banorët e lagjeve Tovërlani dhe Shala të cilët gjendjen në hyrje të qytetit të Podujevës, përkatësisht në afërsi të magjistrales, janë të bllokuar nga vërshimet të cilat kanë ndodhur tashmë e tri javë, shkruan Llapi.info.

35 shtëpi, sa kanë këto dy lagje sipas banorëve, janë tërësisht të boshatisura për shkak të ujit i cili ka depërtuar në brendësi të tyre.

Fidaim Tovërlani, banor i lagjes Tovërlani ka thënë për Llapi.info se për shkak të mbylljes së gypit përmes së cilit depërton kjo përrockë është detyruar që edhe djalin e tij 2 vjeç ta hekë nga djepi dhe ta zhvendosë tek dajtë e tij.

“Këtu janë 35 shtëpi të cilat janë të boshatisura. Asnjë rob nuk është brenda qe tri javë ditë dhe ne jemi duke bredhur rrugëve nëpër fare fis ku po mujm kush po na del në ndihmë. Deri tani vetëm një drejtor komunal ka ardhë një herë ka këqyr, Arsim Thaçi mos gabofsha dhe Faik Muçiqi një herë. Kryetari i Komunës nuk ka dalë kurrë me na pa. Çka është problemi nuk e di. Unë djalin e kam dy vjeç dhe më duhet me e lanë te dajtë me e malltretu fmiun , me hekë prej djepi më kanë detyruar rrugëve, për çka për tre vet edhe pse se nuk kanë leje prej komune se është në rek e duhet me marrë leje” ka thënë ai.

Banorët janë shprehur të gatshëm edhe për zgjidhjen e problemit mirëpo, ata thonë se neve askush nuk na del në ndihmë dhe se deri më tani kanë mbetur vetëm në mëshirë të gazetarëve që ta raportojnë rastin.

“Ne edhe rrugën e largojmë ma nej edhe bëjmë zgjidhje a andej e ka mbyllë rruga, e ka mbyllë. Pse këta janë njerëz të fortë. Ky vjen prej qeverie ai vjen prej qeverie edhe kështu që na kemi mbetur në mëshirën e gazetarëve ndoshta na ndihmon dikush” përfundoi Tovërlani.

Ndërsa, shefi i Zyrës për Informim në Podujevë, Nazmi Elezi lidhur me rastin ka thënë se do të angazhohen katër drejtori të komunës së Podujevës dhe se problemi do të zgjidhet brenda këtij viti.

“Për trajtimin e asaj përrocke atje do të angazhohen katër drejtori, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Pronës dhe Inspektoratit sepse në atë përrcokë përveç që ka ngushtim dyshohet se ka edhe devijim të saj. Në rrugën magjistrale ka ngushtim të daljes kështu që kjo çështje do të trajtohet shumë seriozisht nga këto katër drejtori dhe besojmë që gjatë një periudhe të shkurtër gjatë këtij viti, posa të kalojë kjo gjendje do të dalin nga këto katër drejtori zyrtarët kompetent dhe do ta regjistrojnë gjendjen dhe do të ndërmarrin masat e duhura që të mos ketë më vërshime” tha Elezi për Llapi.info.

Ndryshe, banorët e këtyre lagjeve mbrëmë në orët e vona kanë pasur edhe konfrontim në mes vete sa i përket këtij problemi. Ata kanë thënë se nëse sot nuk marrin ndonjë dokument të nënshkruar nga komuna e Podujevës për zgjidhje të problemit, nesër do ta bllokojnë magjistralen Podujevë- Prishtinë./Llapi.info