Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka shpallur fajtor dhe dënuar me 27 vite burgim dhe 1 mijë e 300 euro të akuzuarit Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha, të cilët në dhjetor të 2021-ës në Mitrovicë kishin realizuar dy grabitje, në një barnatore dhe në një market, ku në këtë të fundit kishte mbetur i vrarë pronari i marketit A.M.

Në këtë rast Muhamed Hasani dhe Gramos Rexha po akuzohen se më 28 dhjetor 2021 pasi që planifikojnë plaçkitjen në market “Selaci” në Mitrovicë, hyjnë të maskuar në market dhe pas rezistencës së pronarit të lokalit i pandehuri Hasani kishte shkrepur armën në drejtim të të njëjtit, derisa predha e kishte goditur viktimën në fyt.

Viktima A.M kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra me armë zjarri.

Të njëjtët akuzohen po ashtu se një ditë më herët kishin kryer grabitje në barnatoren “Meg Pharm” në Mitrovicë, nga arka e së cilës kishin plaçkitur 130 euro dhe ishin larguar në drejtim të panjohur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Hasani po ngarkohet nga prokuroria edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armeve”.

Sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit Muhamed Hasani për shkak të veprës penale në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim prej (12) vite e 6 muaj dhe gjobë në shumë prej 400 euro.

Për veprën penale të referuar në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës gjykata të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 viteve dhe gjobë në shumë prej 300 euro.

Kurse, për veprën penale të referuar në pikën e tretë të dispozitivit të aktakuzës gjykata të akuzuarit të parë i ka shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Gjykata, të akuzuarit Muhamed Hasani i ka shqiptuar dënimin unik me burgim prej 15 viteve dhe me gjobë në shumë prej 700 euro, ku përfshihet koha e mbajtjes në paraburgim nga data 28 dhjetor 2021 deri më 6 qershor 2022.

Tutje, ndaj të akuzuarit të dytë Gramos Rexha, për shkak të veprës penale në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, gjykata ka shqiptuar dënim me burgim prej 10 viteve dhe gjobë në shumë prej 300 euro.