Në përvjetorët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, institucionet e vendit organizojmë akademi dhe bëjnë homazhe për të rënët e familjes Jashari në Prekaz.
Sot bëhen 21 vjet kur në Prekaz filloi sulmi i tretë ndaj familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, që zgjati tri ditë.
Gjatë përballjes me forcat serbe të marsit të vitit 1998, u vranë 55 persona në Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit,
Bekim Jashari, i biri i mbijetuar i heroit kombëtar Hamëz Jasharit, ka folur për klankosova.tv, për rrugëtimin e familjarëve të tij të rënë për atdhe.
Ai thotë se pavarësisht se kanë kaluar dy dekada, për shtetin e Kosovës ende nuk është punuar sa duhet:
”Kemi ende shumë punë për të bërë në Kosovën tonë të dashur”, është shprehur ai, njofton Klan Kosova.
Sipas tij, ka një mënyrë të vetme për të arritur idealin e të parëve të tij të cilët dhanë jetën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
”Por në qoftë se neve qëndrojmë të bashkuar padyshim që do ja arrijmë qëllimeve tona”.
I biri i vetëm i mbijetuar i heroit të kombit Hamëz Jashari, Bekimi, madje thotë se ka një shembull të freskët që liderët e shtetit duhet ndjekur për ta çuar Kosovën në proceset e saj përpara.
”Shembulli më i freskët janë vëllezërit tanë në Malësi të cilët fituan Tuzin. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara”, ka përfunduar ai, njofton Klan Kosova.
Por si ndodhi beteja historike me forcat serbe e familjes Jashari?
Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e koncentroi në Prekaz, në zemrën e UÇK-së, duke e rrethuar me forca të mëdha ushtarake e policore.
Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 në Prekaz, pasoi vetëm pak ditë pas luftimeve që kishin ndodhur në Likoshan dhe Çirez, mes luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe.
Synimi i forcave armike, ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Në këto luftime të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se ”po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”.
Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit, njofton Klan Kosova.







