Lokale - eSIMy

Një 17-vjeçar nga Ferizaj ka dhënë një shembull të rrallë ndershmërie, pasi ka gjetur një portofol me 2,435 euro, 270 franga zvicerane dhe dokumente personale, të cilat i ka dorëzuar në polici. Pas verifikimeve, të gjitha sendet i janë kthyer pronarit.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. Sipas Policisë, A. Nuha, nga fshati Bablak, është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj me portofolin që e kishte gjetur në fshatin Lloshkobare, afër pikës së karburantit “Ibrahimi Petrol”.

Zyrtarët policorë kanë identifikuar pronarin e portofolit, K.S. (40) nga Gjakova, të cilit, në prani të policisë, iu kthyen 2,435 euro, 270 franga zvicerane, si dhe dokumentet personale. Për rastin është përpiluar një shënim zyrtar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vlerësuar lart veprimin e 17-vjeçarit, duke theksuar se ai tregoi ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare, ndërsa e cilësoi rastin si një shembull pozitiv që meriton të vlerësohet.